Shoqata Kulturore “Vizioni M” ka vijuar me projektin “Kandilat e Bajramit”, kësaj radhe në qytetin e Kumanovës.
Manifestimi i cili tradicionalisht organizohet nga kjo shoqatë në qytetin e Shkupit, këtë vit ka sjellë gëzim edhe në mesin e fëmijëve nga Kumanova. Qëllimi i tërë kësaj sfide është qe edhe ky Bajram të jetë sa më i lumtur për fëmijët nga “Lagjja e Trimave”, të cilët pësuan trauma të vërteta nga konflikti i armatosur që ndodhi në lagjen e tyre, i cili i la shumë familje pa kulm mbi kokë.
Fëmijët janë shprehur shumë të lumtur me këtë aktivitet.Pjesë e manifestimit “Kandilat e Bajramit”, është edhe “Treni i Bajramit”, me të cilin është bërë shëtitja e fëmijëve nëpër rrugët e Kumanovës.
Fillimisht janë shëtitur një grup i fëmijëve nga “Lagjja e Trimave”, e më pas edhe një grup tjetër i fëmijëve nga vendbanimet tjera.
Gjithashtu u mbajt edhe një manifestim kulturor me valle dhe recitale për fëmijë si dhe shpërndarja e më shumë se 150 pakove për fëmijë, me produkte të ndryshme ushqimore.