Shoqata Kulturore “Vizioni M” – shoqatë joqeveritare dhe joprofitabile kulturore e të rinjve – duke ndjerë nevojën e madhe që të plotësohet boshllëku i madh shpirtëror e kulturor, si dhe duke parë përdhosjen e tmerrshme të vlerave humane, krejt këto të shkaktuara në jetën e qytetarëve të Maqedonisë si pasojë e tranzicionit, është themeluar që ta përmbushë, plotësojë dhe stimulojë këtë aspekt të jetës në vendin tonë dhe më gjerë.
Duke e pasur parasysh faktin se timoni i një populli janë intelektualët, kjo shoqatë është formuar pikërisht nga intelektualë të rinj (studentë e profesorë) nga Shkupi e Tetova, qëllimi final i të cilëve është vetëdijesimi, përmirësimi, lehtësimi dhe avancimi i jetës së qytetarëve të këtij nënqielli.
Ajo i realizon qëllimet e saj duke bërë ngritjen dhe fuqizimin e vetëdijes kulturore, qytetare, intelektuale, religjioze e morale të qytetarëve të Maqedonisë.
Projektet e saj kryesisht janë projekte të lidhura me jetën e kulturore, edukative e rinore, si shfaqje, kurse, manifestime, seminare dhe takime me të rinjë.
Shoqata është formuar në vitin 1998 me emrin “Vizioni Multikulturor”, emër ky që për shkaqe administrative në vitin 2004 u desh të ndërrohet në Shoqata Kulturore “Vizioni M”.
Qëllimet e SHK “Vizioni M” – Shkup
- krijimi i një gjenerate intelektualësh të çliruar nga ideologjizmat e së kaluarës;
- krijimi i një shtrese elite intelektuale e cila do të dijë t’i pranojë vlerat e reja bashkëkohore, që do të dijë të bashkëjetojë me to dhe do të dijë ta gjejë vendin e saj dhe vendin e popullit të këtyre trevave në këto konstelacione të qytetërimit bashkëkohor;
- krijimi i një gjenerate pa paragjykime për lirinë personale të njerëzve, qoftë kjo liri e të menduarit, e të shprehurit ose liri e të besuarit a e përkatësisë ideologjike, religjioze ose e formacioneve shoqërore;
- avancimi i vlerave të mirëfillta kulturore e shpirtërore, të cilat për shkaqe politike qëllimisht kanë ngelur të heshtura;
- krijimi i sistemit të ri të vlerave në të cilat para së gjithash do të mbisundojë e mira, drejtësia, demokracia, suksesi, morali;
- afirmimi i vlerave autoktone dhe konkurrimi me to në vlerat e botës bashkëkohore;
- krijimi i një gjenerate që do të jenë qytetarë të dobishëm të këtij shteti, të kësaj shoqërie, por edhe të shoqërisë që e synon vendi ynë;
- paraqitja e vlerave kulturore e shpirtërore si elemente begatuese, fisnikëruese dhe të dobishme për shoqërinë.